image LVV e gatshme të merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja, ku do të diskutohet për rekomandimet e IKShPK-së për zgjedhjet

Politikë

LVV e gatshme të merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja, ku do të diskutohet për rekomandimet e IKShPK-së për zgjedhjet

news image

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të takohet me presidenten, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Për Gazetën Sinjali këtë e ka bërë të ditur, Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

“Ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me Presidenten kurdo që ajo na thërret”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në një takim konsultativ partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Sipas letrës, drejtuar partive politike, ky takim do të mbahet konkretisht për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.

Takimi do të mbahet të hënën, me fillimin nga ora 16:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, ka rekomanduar që procesi zgjedhor të shtyhet për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.  /GazetaSinjali/