Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherish edhe kryetari i degës së kësaj partie në Gjilan, Lutfi Haziri, ka folur në një konferencë për media, lidhur me dështimin siç e quan ai, të komunës së Gjilanit, rreth fillimit dhe vazhdimit të disa projekteve në këtë komunë.
Haziri ka thënë se autostrada e Gjilanit ka stagnuar dhe për këtë ka fajësuar komunën që drejtohet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e portretizon si të painteresuar totalisht, e bashkë me të dhe qeverinë e Kurtit, të cilët thotë se nuk u angazhuan konkretisht lidhur me çështjen, raporton Gazeta Sinjali.
“Autostrada e Gjilanit ka mbetur në stagnim, përshkak të mospërfundimit të angazhimeve konkrete të qeverisë dhe për shkak të mosinteresimit total të komunës, për t’i dhënë shtytje dhe buxhetim përfundimit të fazës së parë të punimeve, prej Lipjanit në drejtim të Bresalcit dhe moshpallja dhe mosnjoftimi prej Gllamës në drejtim të Konçulit, që është faza e dytë dhe me këtë projekt zhvillimor jo vetëm që lidhet Kosova Lindore dhe Anamorava me qendrën e Kosovës por edhe ndërtohet qarkorja e Gjilanit, të cilin projekt ne e kemi zhvillu por që tani nuk ka asnjë lloj tendence, që mund të na sigurojë se do të zhvillohet tutje“, ka thënë ish-kryetari i Gjilanit.
Ai tutje shtoi, se këtë vit ka mungu vullneti politik për ta buxhetu këtë projekt madhor dhe kërkesa e tyre është që të vazhdojë dhe të shpallet faza e dytë e autostradës.
Haziri tutje vazhdoi duke thënë se “ajo çka neve na brengos, është mosinteresimi total dhe anashkalimi i komunës tonë”.
Nënkryetari i LDK-së ka thënë se qeveria Kurti që nga fillimi ka tregu mosinteresim, për investime në Gjilan dhe Anamoravë.
“Ne e dimë që kjo qeveri, Gjilanin dhe Anamoravën ka tregu prej fillimit mosinteresim për investime, por kjo s’duhet me na leju neve me kalu në defanzivë, duhet me qenë në presion dhe kërkesë të përditshme sepse projektet e mëdha që financohen ose bashkëfinancohet me institucionet ndërkombëtare atëherë duhet një presion aktiv i komunës karshi investitorëve që me i realizu obligimet që i kanë të kontraktuara“, ka thënë ish-kryetari i Gjilanit.
Haziri ka thënë se LDK-ja si partia më e madhe në Asamble komunale, do të vazhdojë të jetë gardianë e çdo lloj tendence për keqqeverisje, në komunën e Gjilanit.
“Duke qenë partia më e madhe në Asamble në komunën e Gjilanit ne do të vazhdojmë të jemi aktivë në politikbërjen dhe gardianë të ndalimit të çdo lloj tendence të keqqeveriset në komunën e Gjilanit. Ne jemi në një debat të brendshëm në degën e LDK-së, ne kemi një votë më pak në asamble komunale ndaj koalicionit VV-PDK”, ka përfunduar Haziri.