Avokati, Gazmend Halilaj është plagosur sot para shtëpisë së tij dhe për këtë e ka fajësuar Sami Lushtakun, pasi sipas tij, para disa dite është kërcënuar përmes telefonit nga ai, shkruan Gazeta Sinjali.
Lushtaku ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku tha se Halilaj ka bërë shpifje të ulëta duke ma përmendur emrin për një rast inekzistent të para më shumë se 20 viteve.
“Ai përveç shumë skandaleve, së fundi është akuzuar se ka përdhunuar seksualisht një vajzë të mitur në Drenas. U mundua që të tjerëve të ua hedhë të zezat që i kishte bërë vetë ai”, ka shkruar Lushtaku.
Ai po ashtu tha se do të ushtrojë padi ndaj avokatit Halilaj, për shpifje, pasi sipas tij, ka për qëllim që të fitojë famë, në krah të Lushtakut.
“Unë do ta konsultojë avokatin tim që të ushtrojë padi kundër këtij shpifësi, i cili ka për qëllim që të fitojë famë duke u marrë unë me të. Për një “ngjarje” tjetër që sot i paska ndodhur, përsëri më paska akuzuar mua. Ai ka për qëllim që ta mbajë vëmendjen e publikut dhe mediave duke më akuzuar mua. Ju bëj thirrje organeve të rendit që të zbardhin edhe ndodhinë e sotme mbi bazë të fakteve. Të tillët si soji i tij që kanë probleme personaliteti, duan famë”, ka shkruar Lushtaku.
Lushtaku thotë se garanton se të gjitha këto janë shpifje dhe për këto do të merret gjykata.
“Unë nuk mirrem e nuk kam kohë për të, aq më pak për një njeri që akuzohet për keqpërdorim seksual të një të miture. Ju garantoj 100% se këto janë shpifje më të cilat do të merret gjykata”, ka vazhduar tutje Lushtaku.
Halilaj kishte reaguar ndaj ndihmave që i dha PDK në Skënderaj, ku kishte shkruar se “SAMI LUSHTAKU ndihmat që i dha, ndoshta i bëri me një pjesë të 1 milion e 400 mijë markave gjermane të mërgimtarëve tanë që i ndanë për UÇK-në, që i mori në Tërdec të Drenasit në ora 05:00 të mëngjesit në Qershor të vitit 1999 me Jeset Lushtakun, e që ato para më nuk është ditur nga kanë shkuar…!?”/Gazeta Sinjali/