image Lushtaku pas arrestimit të Krasniqit: EULEX-i nuk ka nevojë me hy në shtëpitë tona

Kosovë

Lushtaku pas arrestimit të Krasniqit: EULEX-i nuk ka nevojë me hy në shtëpitë tona

news image

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Drenicës, Sami Lushtaku ka thënë se arrestimi dhe bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit nga EULEX-i është e padrejtë dhe e panevojshme.

Lushtaku u shpreh se EULEX-i dhe Gjykata Speciale nuk kanë nevojë që të hyjnë në shtëpi, pasi sipas tij kjo është një gabim i madh.

“Po, edhe unë ndjej keqardhje për mënyrën e shkuarjes se EULEX-it në orët e hershme, unë mendoj që EUELX-i dhe Gjykata Speciale nuk ka nevojë të hyjë nëpër shpia, unë e konsideroj që në një thirrje telefonike jemi të gatshëm të iu paraqitemi jo vetëm në Polici po ku do që dëshirojnë, unë mendoj që është një gabim i madh, e padrejtë dhe e panevojshme, nuk ka nevojë që as Policia e Kosovës e as EULEX-i me na hy nëpër shtëpi dhe me i malltretu familjet tona, nuk kem vend tjetër, atdheun e kem vetëm Kosovën”, ka thënë Lushtaku.

Tutje, ai theksoi se shteti i Kosovës duhet të komunikojë me Gjykatën Speciale dhe të sqarohet që kjo mos të ndodhë më.

“Unë mendoj që shteti i Kosovës duhet me komuniku me Gjykatën Speciale dhe me sqaru, me kërku qe vërtetë kjo mos të ndodhë më dhe se është shumë e panevojshme që kjo të ndodhë.”

Ndërkohë, Lushtaku u shpreh i gatshëm nëse bashkësia evropiane e kërkon që ai të paraqitet në Hagë.

“Ne nuk e kemi ndër mend të paraqesim luftë me bashkësinë ndërkombëtare, jemi partner me ta por nëse ata e shohin të nevojshme, ne do të paraqitemi në Gjykatë”, ka përfunduar ai për T7. /Gazeta Sinjali/