Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka reaguar pas akuzave që i mori nga kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, rreth pakove ushqimore që Lushtaku i shpërndau për qytetarët e Skenderajt.
Lushtaku tha se Jasharin e pengon autoriteti dhe fuqia që e ka në Drenicë, ani pse, tha se PDK-ja e ka bërë Jasharin kryetar komune.
“I dashur Bekim, E di mirë që të pengon autoriteti e fuqia ime politike qe e kam në Drenicë. Jam i vetëdijshëm për këtë që prej se të kemi bërë kryetar të komunës, pasi unë personalisht por edhe gjithë Partia Demokratike e Kosovës, t’i kemi hapur dyert e dritaret, që ti të bëhesh kryetar komune. Këtë veprim e kam bërë për nder të familjes Jashari dhe jo për ty”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Lushtaku e ka akuzuar Jasharin për ndarje dhe përçarje edhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Skenderaj.
“Ti Bekim, që prej se je bërë kryetar komune vazhdimisht je shndërruar në një figurë prej viktime dhe përçarësi. Je munduar të ndërhysh edhe në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, por ty dhe secilit që ka tentuar të ndërhyjë për qëllime të ulëta, ja kam treguar vendin përmes votës së anëtarësisë. Kam fituar mbi 90% të votave si në zgjedhje të brendshme ashtu edhe në ato të komunës deri sa më je lutur që të të përkrahë ty në këtë detyrë”, shkroi ai.
Sipas Lushtakut, aktiviteti humanitar i PDK-së i ka penguar Jasharit, për shkak se, sipas tij, ky i fundit mendon se është në diktaturë dhe mund të kontrollojë gjithçka.
“Unë nuk e shfrytëzoj pandeminë as për poena politik e as për rritje të përkrahjes sime sepse përkrahje politike kam të mjaftushme. Kjo të pengon ty. Nuk jemi në diktaturë që t’i të kontrollesh çdo gjë. Ti nuk je Zoti i qytetarëve të Skenderajt që të më tregosh si janë ata e si ndjehen. Unë i njoh shumë më mirë e shumë më afër se ti për më shumë se 30 vite me radhë”, ka shkruar Lushtaku.
Ish-kryetari i Skenderaj e ka akuzuar kryetarin e tanishëm se nuk ka bërë asnjë projekt madhor në këtë komunë, që prej se është zgjedhur në krye të saj./Gazeta Sinjali/