image Lushtaku: As një mijë euro, dëmi që shkaktuam me shishe në kuvend

Politikë

Lushtaku: As një mijë euro, dëmi që shkaktuam me shishe në kuvend

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka folur për dëmin që e shkaktuan sot në Parlamentin e Kosovës, meqë godisnin tryezat e sallës plenare gjatë seancës, me shishe qelqi.

Sipas tij kjo ishte forma më e dëmshme e vogël, që do t’ia bënin kuvendit në një rrethanë të tillë politike, kur bëhet fjalë siç thotë ai për respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

”Është forma më e dëmshme e vogël në këtë rrethanë politike që ne të kundërshtojmë dhe të bëjmë efektin e duhur që të mos ketë mbarëvajtje të seancës, edhe pse u bë zhurmë e madhe nuk u ndaluam”.

”Zgjidhja më e mirë do të ishte që të respektojnë nga fillimi atë që e kemi kërkuar deri më sot. Sigurisht, protesta është e garantuar edhe me kushtetutë. Ne kishim synim edhe të protestojmë. Atë e kemi bërë edhe në Kuvendin e Kosovës. Dhe nëse ne si deputetë nuk arrijmë që të respektojmë dhe t’i nënshtrohemi Kushtetutës së Kosovës, atëherë për çfarë opozite bëhet fjalë”.

Tutje, Lushtaku pohoi se dëmi që e kanë shkaktuar nuk arrin shifrën as një mijë euro.

”Besoj që mjeti që ne të arrijmë qëllimin që të respektohet kushtetuta, është më i madh sesa vet një dëmtim i vogël, ky demtim nuk kushton as një mijë euro për të rregulluar këtë dëm që është bërë. Por, është një dëm edhe më i madh që po duam ta parandalojmë”.

”Janë diku rreth 150 milionë euro që flitet se janë keqpërdorur një kohë, kur dihet që ka pasur mjaftueshëm energji elektrike, dhe nuk ka pasur nevojë fare për import energji elektrike në Kosovë. E vetmja formë për të vetëdijësuar dhe për të arritur kushtetutshmërinë e 40 deputetëve, ishte kjo“, tha ai në KlanKosova.

/GazetaSinjali/