Rrethanat e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit dhe ndriçimi i një vrasjeje të mundshme do të kërkojnë ndihmë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka thënë se rasti i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016, do të hetohet edhe nga prokurorë dhe hetues ndërkombëtarë.
“Kemi kërkuar prej Ambasadës Amerikane që të na sjellin ndonjë prokuror apo dikë që mund të na ndihmojë në hetimin e këtij rasti, në mënyrë që ta zbardhim të vërtetën”, ka thënë Lumezi.
Ai tha se Prokuroria e njëjtë, ajo e Prizrenit do ta hetojë këtë rast, por me ndihmën e ndërkombëtarëve.
“E njëjta prokurori do ta hetojë rastin, sepse kompetenca territoriale është e Prizrenit, dhe s’mundet ndonjë prokurori tjetër. Por do ta kërkojmë edhe ndihmën ndoshta të partnerëve ndërkombëtarë me na ndihmua në hetimin e këtij rasti”, u shpreh kryeprokurori.
Familja Dehari ka pranuar sot raportin e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës rreth vdekjes së djalit të tyre, Astrit Dehari. /Gazeta Sinjali/