image Lulzim Basha po akuzohet për falsifikim dokumentesh

Kosovë

Lulzim Basha po akuzohet për falsifikim dokumentesh

news image

Në Tiranë, dy prokurorë të prokurorisë së kryeqytetit kërkuan sot dërgimin në gjyq për “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve” kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe lir Dervishin.

Në të njëjtën kohë prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako paraqitën një kërkesë për pushimin e akuzës për pastrim të produkteve ose veprimtarisë kriminale, shkruan VOA.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u thirr nga prokuroria 6 muaj më parë në cilësinë e të pandehurit për t’u njohur me akuzën lidhur me hetimin e nisur për pagesat e bëra për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basha ka bërë përgjegjës kryeministrin Rama që, sipas tij “me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër tij, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike”.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga Basha, të jetë paguar nga partia e tij. Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjëherë lidhjet me firmën ‘Biniatta Trade LP”./Gazeta Sinjali/