image Basha: 17 shkurti i vitit 2008 kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi

Politikë

Basha: 17 shkurti i vitit 2008 kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka uruar Kosovën në 16-vjetorin e pavarësisë.

Basha, mes tjerash potencoi se në këtë ditë të çmuar kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë kombëtare komandantin legjendar të UÇK Adem Jasharin, arkitektin e Pavarësisë presidentin Ibrahim Rugova dhe mijëra bij e bija të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre për në altarin e lirisë së Kosovës.

“17 shkurti i vitit 2008 është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët që kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi”, shkroi Basha në rrjetin social Facebook.

“Jemi krenarë për zhvillimin dhe progresin që Kosova ka arritur në këto 16 vite. Ajo sot ka ende sfida përpara, por jam i bindur se me vendosmërinë, përkushtimin dhe pjekurinë e lidershipit politik të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, do t’ia dalë me sukses për të ndërtuar një shtet të fortë, të zhvilluar dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike”.

“Kjo është një ditë shumë e veçantë edhe për mua personalisht dhe atë pjesë të familjes sime që si mijëra të tjera u dëbuan nga trojet e tyre. Jam i lumtur për çdo ditë që i’a kam dedikuar çështjes së Kosovës dhe falenderoj Zotin që ma ka dhënë mundësinë për ta bërë këtë edhe si një amanet i përcjellë brez pas brezi, sikundër sa të kem forcë dhe mundësi do të jem në krah të Kosovës për të ndihmuar në suksesin e saj. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë”.

/GazetaSinjali/