image Lulëzon kanabisi në Shqipëri, Policia i asgjëson rreth 4000 bimë

Shqipëri

Lulëzon kanabisi në Shqipëri, Policia i asgjëson rreth 4000 bimë

news image

Po vijojnë kontrollet antikanabis në Shqipëri, ku është finalizuar faza e dytë e operacionit “Bjeshkët e Nemuna”, operacion ky ku sipas Policisë u bë e ditur se u asgjësuan nëpërmjet djegies, 3659 bimë narkotike “cannabis sativa” që u gjetën të kultivuara në territoret e fshatrave Gjonpepaj dhe Curraj i Epërm.

Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, ditën e djeshme, në fshatin Gjonpepaj, u asgjësuan 297 bimë narkotike cannabis sativa, si dhe u procedua penalisht kryetari i këtij fshati.

U proceduan penalisht edhe 2 inspektorë mjedisi të këtyre zonave, të dyshuar për moskallëzim të krimit dhe për shpërdorim të detyrës.

“Në vijim të kontrolleve antikanabis, me shërbime nga toka dhe me dronë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, kanë finalizuar fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, në kuadër të të së cilës:

-në fshatin Gjonpepaj, janë gjetur të kultivuara 3543 bimë të tjera narkotike cannabis sativa;

-në fshatin Curraj i Epërm, janë gjetur të kultivuara 116 bimë narkotike cannabis sativa.

Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit A. Q. dhe Gj. P., inspektorë të mjedisit në të dy këto fshatra, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Vijojnë veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

/GazetaSinjali/