Mikrobiologu Lul Raka ka reaguar pas lajmit të mbrëmshëm se një i ri nga Prishtina është infektuar për të dytën herë me koronavirus, pas 3 muajve që ishte shëruar plotësisht, shkruan Gazeta Sinjali.
Raka përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook ka treguar arsyet pse ndodhë një gjë e tillë, edhe pse thotë se raste të tilla janë shumë të rralla në botë e që kërkojnë analizë të detajuar.
Sipas Rakës, Diagnoza apo gabimet në laborator, riinfektimi i vërtetë dhe rezervuari në trupin e njeriut, janë disa nga supozimet kryesore të rikthimit të virusit.
Postimi i plotë i Lul Rakës:
A MUND TË PREKEMI DY HERË NGA VIRUSI SARS-CoV-2?
Pos rastit të përshkruar dje në Kosovë, ka edhe raste tjera shumë të rralla në botë që kërkojnë analizë të detajuar.
Virusi që shkakton COVID-19 ka shumë të panjohura!
Sot, në botë ka shumë pak raste të “rikthimit” të virusit dhe sëmundjes, prandaj nuk mund të nxirren konkuza gjithëpërfshirëse dhe ende nuk ka përgjigje të plotë shkencore. Ekzistojnë vetëm supozime të mundshme të këtij skenari.
Sistemi imunitar është qendra e pyetjeve më të rëndësishme të Koronaviruseve. Antitrupat, që prodhohen pas infeksionit ngjiten për virusin për ta ndaluar atë. Kontribut në luftën kundër virusit japin edhe qelizat T, të cilat i sulmojnë qelizat e infektuara me virus.
Sa zgjat imuniteti pas prekjes me COVID-19 nuk e dijmë. Por, katër llojet e tjera të koronaviruseve që shkaktojnë flamën lënë imunitet afatshkurtër, sepse disa pacientë janë riinfekuar me flamë brenda vitit. Të SARS dhe MERS antitrupat kanë zgjatur më shumë (1-2 vjet).
Cilat janë supozimet kryesore të rikthimit të virusit?
1. DIAGNOZA- GABIMET NË LABORATOR
Një shkak i mundshëm janë gabimet humane në laborator. Strishot e nazofaringut apo të grykës që përdoren për diagnozë, mund të sjellin sasi të ndryshme të virusit, varësisht se ku bëhet mostrimi dhe si bëhet ai.
Gabimet laboratorike përcillen me rezultate të rrejshme pozitive ose negative.
2. RIINFEKTIMI I VËRTETË
Për të dëshmuar vërtetë reinfektimin dhe për ta dalluar nga nxjerrja afatgjate e virusit që vazhdon nga infeksioni i parë, duhet të bëhet sekuencionimi i të dy mostrave të pacientit. Përmes kësaj metode mund të dëshmohet se a janë gjenetikisht të ndryshëm të dy viruset tek i njejti pacient. Po ashtu, duhet përcjellë edhe simptomat dhe kohëzgjatjen e reinfeksionit.
Gripi dhe infeksioni me virusin respirator sincicial (VRS), janë dy sëmundje që mund të përsëriten. Madje, VRS mund të ndodh disa herë brenda një sezoni të dimrit.
3. REZERVUARI NË TRUPIN E NJERIUT
Sipas këtij opcioni, virusi asnjëherë nuk është larguar nga trupi dhe kjo është vazhdimësi e tij. Pacienti ka nxjerrje të prolonguar sporadike të ARN-së virale. P.sh. në feces, virusi është gjetur 33 ditë pas infeksionit, por nuk është gjetur gjatë kësaj kohe në traktin respirator.
Riaktivizimi është një dukuri që vërehet te disa viruse si p.sh. te herpesi dhe HIV. Këto viruse e kanë periudhën e latencës (qetësisë), kur integrohen në ADN-në e strehuesit. Por, koronaviruset që shkaktuan SARS dhe MERS nuk kanë fazë latente dhe nuk ka dëshmi për këtë gjë.
Mbase këtu mund të përmendet edhe përgjigja e vonshme imunitare, e cila është më serioze te disa pacientë. Këto raste, të cilat duken si “kronike”, mund të flasin për virusin që nuk është pastruar ende nga trupi i pacientit./Gazeta Sinjali/