image Lufta e Rusisë në Ukrainë: Fillimi i fundit të një superfuqie energjetike?

Botë

Lufta e Rusisë në Ukrainë: Fillimi i fundit të një superfuqie energjetike?

news image

Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për ta pushtuar Ukrainën po i kthehet bumerang industrisë ruse të energjisë – industrisë kryesore të ekonomisë së vendit – ndërsa Evropa po dyfishon përpjekjet për të diversifikuar burimet e energjisë dhe për të larguar varësinë nga nafta dhe gazi rus, teksa kompanitë perëndimore po largohen nga Rusia.

Në dy javët e fundit, Gjermania – ekonomia më e madhe e Evropës – ka pezulluar projektin e një tubacioni që mëtonte të eksportonte gaz natyror nga Rusia. Ky shtet, po ashtu, ka njoftuar për planet që të ndërtojë porte për gaz nga shtetet e tjera dhe ka thënë se mund të zgjerojë përdorimin e uzinave bërthamore dhe termocentraleve që prodhojnë energji nga qymyri.

Ndërkaq, BP, Shell dhe ExxonMobil, tri kompanitë më të mëdha perëndimore të energjisë, kanë njoftuar se do t’i tërheqin projektet e tyre multimiliardëshe nga Rusia, ndërkaq kompania franceze, TotalEnergies, tha se do t’i ndërpresë investimet e reja.

Teksa shtetet evropiane po ndërmarrin veprime që t’i shkurtojnë furnizimet ruse, eksodi i parave dhe njohurive perëndimore do të çojë në mënyrë të pashmangshme në vonesa ose anulime të projekteve të energjisë në Rusi, duke ndikuar në prodhimin e ardhshëm, kanë paralajmëruar analistët.

“Mendoj se ky është fillimi i fundit për Rusinë si një superfuqi energjetike”, tha Nikos Tsafos, analist për energjinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington.

Humbjet e mundshme të Rusisë në shitjet e gazit në tregun evropian nuk do të mund të kompensohen plotësisht nga rritja e eksporteve në Kinë, tha ai në një podkast të publikuar më 1 mars.

Rusia është prodhuesja e tretë më e madhe e naftës në botë dhe prodhuesja e dytë në botë e gazit natyror. Ky shtet ka një pozicion të fortë në Evropë, pasi përbën 25 për qind të furnizimeve me naftë dhe 30 deri në 40 për qind të furnizimeve me gaz.

Në përgjithësi, Moska ka qenë një furnizuese e besueshme e energjisë për Evropën që nga periudha sovjetike, pavarësisht konfrontimeve gjatë Luftës së Ftohtë, rënies së komunizmit, luftërave dhe recesioneve.

Raportet me Berlinin veçmas kanë qenë të ngushta në vitet e fundit. Gjermania e ka parë gazin natyror rus si një urë për tranzicionin e saj energjetik nga qymyri dhe energjia bërthamore tek energjia diellore dhe ajo me erë.

‘Diçka u prish’

Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, Berlini nuk u zmbraps dhe vazhdoi me projektin “Rrjedha Veriore 2”, gazsjellësit të mbështetur nga Kremlini, që mëtonte të sillte gaz natyror nga Rusia në Gjermani. Ky projekt do të kishte dyfishuar importet e gazit rus në Gjermani.

Por, pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Putinit, ka shkatërruar rrënjësisht këto lidhje energjetike me Evropën dhe me Gjermaninë, në veçanti.

Kancelari gjerman, Schoolz tha gjatë kësaj jave se shteti i tij “do të ndryshojë kursin” për të tejkaluar varësinë nga energjia ruse dhe ndërpreu projektin 11 miliardë dollarësh të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”, që pritej të futej në funksion më vonë gjatë këtij viti, shkruan REL.

Me të drejtë apo pa të drejtë, ka një pikëpamje në Evropë që thotë se nëse nuk përdorni hidrokarbure, aftësia e Rusisë për ta bërë këtë do të zvogëlohet”, tha ai, duke iu referuar agresionit rus. “Kjo është një pikëpamje e përhapur gjerësisht në Evropë”.

/GazetaSinjali/