Uran Ismaili me apo pa vetëdije kishte thumbuar edhe vetën kur kishte thënë se ligji për pirjen e duhanit po shkelet edhe nga përfaqësuesit institucional.
Një deklaratë e tillë që Ismaili e kishte bërë kohë më parë, sot është dëshmuar pikërisht në biznesin e tij, ku ministri i Shëndetësisë është bashkëpronar, raporton Gazeta Sinjali.
Në lokalin e Ismailit që gjendet në rrugën B, në Prishtinë një sinjalizues ka dërguar fotografi, ku klientët në këtë lokal konsumojnë duhanit pa problem. Kështu edhe klientët e tjerë që nuk janë përdorues të duahnit, i bartin pasojat e tymit.
Në fakt ministri i Shëndetësisë në largim, Uran Ismaili, kishte qenë i zëshëm për respektimin e ligjit të duhanit. Por, po del se zëri i tij nuk është konvertuar edhe në praktikë.
Dita Botërore pa duhan e vitit të kaluar, ishte bërë shkas që Ismaili të ngiste zërin kundër shkelësve të ligjit për duhanin. Kishte thënë se një shkelje të tillë e bëjnë shpesh herë përfaqësuesit institucional.
“Do të kërkojmë raportim të obliguar nga institucionet mbikëqyrëse dhe zbatuese të ligjit te ky koordinator, dhe do të angazhohemi për një fushatë intensive me përfshirje të politikës, meqë siç e keni pa këtë ligj shpesh herë e thyejnë edhe vetë figurat publike dhe përfaqësuesit institucional”, kishte thënë Ismaili.
Madje në atë konference Ministri i Shëndetësisë kishe deklaruar se duhet të angazhohemi që ky ligj të zbatohet plotësisht, e jo vetëm vende-vende, apo në mënyrë sporadike.
“Sot është një ditë e rëndësishme për faktin që e konsiderojmë jo vetëm ne që përdorimi i duhanit është problem global i shëndetit publik, gjithnjë e më shumë njerëz po bëhen të vetëdijshëm për efektet negative të tymosjes së duhanit dhe jo vetëm ata që e përdorin këtë drejtpërdrejt. Ditë më parë e shënuam pesë vjetorin e hyrjes në fuqi të ligjit për kontrollin e duhanit dhe pesë vjet më pas edhe pse kemi institucione, kafene, restorante, që janë 100 për qind të lira, pra ku nuk pihet duhani, prapë se prapë duhet të angazhohemi që ky ligj të zbatohet në plotni, e jo vetëm vende-vende, apo në mënyrë sporadike”, kishte thënë Ismaili.
Që nga viti 2013 është e ndaluar pirja e duhanit në vende të mbyllura në Kosovë./Gazeta Sinjali/