Bixhozi i paligjshëm po sfidon shtetin. Aktivitete të tilla të organizimit të lojërave të fatit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm. Për një rast të tillë Gazeta Sinjali ka raportuar dje, ku pas një aksioni policor në Greme të Ferizajt, u kapën në flagrancë 13 persona, njëri prej të cilëve përfundoi në ndalim policor.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari kryesor që kishte improvizuar një lokal në shtëpinë e tij, ku organizonte lojëra të tilla është Sami Matoshi (35-vjeçar), i cili është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në shtëpinë e tij, me urdhër të prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit, Policia ka kryer bastisje dhe pas kontrollit policor ka gjetur pajisje që shfrytëzohen për organizimin e këtyre lojërave.
Pas përfundimit të bastisjes, një numër i madh i dëshmive janë sekuestruar, ndërsa personat e dyshuar janë dërguar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. Ndaj pronarit të shtëpisë është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, kurse personat e tjerë që u kapën janë lënë të lirë.
Kujtojmë se ka pasur shumë raste kohëve të fundit kur Policia ka zbuluar se në lokale të ndryshme, në disa qytete e fshatra janë organizuar lojëra të tilla.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.