image Lojërat e fatit s'mund t'i ndalë as ligji: Aksion i Policisë në Ferizaj, kapen 15 persona duke luajtur bixhoz

Siguri

Lojërat e fatit s’mund t’i ndalë as ligji: Aksion i Policisë në Ferizaj, kapen 15 persona duke luajtur bixhoz

news image

Lojërat e fatit, që nga maji i vitit 2019 janë aktivitete të ndaluara me ligj. Por, edhe pas ndalimit me ligj, Policia në vazhdimësi ka hasur në organizime të lojërave të fatit nëpër mjedise të fshehta. Një rast i tillë ka ndodhur pas mesnate, në një shtëpi në rrugën “Shaip Doda” në Ferizaj.

Njësia e Hetimeve Rajonale ka zhvilluar aksion në këtë lokacion, me ç’rast ka hasur në një numër të madh të të dyshuarve, të cilët janë kapur duke luajtur bixhoz.  

Sinjali ka mësuar detaje nga aksioni i Policisë në lokacionin ku dyshohej se po zhvillohej aktivitet ilegal.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pas marrjes së informacionit nga NJHR, njësitet policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga jashtë janë dëgjuar se në lokacionin e dyshuar ka një numër të madh të personave.

Policia ka intervenuar menjëherë, duke depërtuar brenda lokalit, ku janë gjetur dy dhoma, me pajisje për organizimin e lojërave të fatit.

Në njërën dhomë është gjetur një tavolinë e cila ishte dedikuar ekskluzivisht për bixhoz, derisa janë gjetur edhe 15 persona duke luajtur bixhoz.

Të dyshuarit janë kontrolluar dhe janë shoqëruar në stacion policor për procedura hetimore. Ndërsa në vendin e ngjarjes, sipas burimeve të Sinjalit janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm i qipave, gjithsej 851, që përdoren për bixhoz, si dhe 19 palë letra bixhozi. 

Lidhur me këtë rast, në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm”.

/GazetaSinjali/