Nuk janë të rralla rastet kur prindërit ndërmarrin veprime të ndryshme për të mbrojtur interesat e fëmijëve të tyre, ashtu siç edhe nuk janë të rralla rastet kur ato veprime mund të përmbajnë elemente inkriminuese, shkruan Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e kësaj natyre ka ndodhur dje, në fshatin Dumosh të Podujevës, ku për shkak të pakënaqësisë së një prindi, se kinse trajneri nuk po e aktivizon mjaftueshëm djalin e tij në lojë, dyshohet se e ka shtyrë atë që të kërcënojë trajnerin me thikë.
Sinjali mëson nga burimet se rrjedhën e kësaj ngjarje e kanë konfirmuar edhe dy dëshmitarë, të cilët ishin të pranishëm kur dyshohet se ndodhi kanosja.
Mirëpo, përkundër deklarimit të denoncuesit, të përkrahur edhe nga dy dëshmitarë, këtë e ka mohuar i denoncuari, madje ai ka deklaruar se i vetmi veprim që ka ndërmarrë kundrejt trajnerit ka qenë gjuha ofenduese.
Lidhur me këtë rast janë iniciuar hetimet për veprën penale “Kanosje”, ndërsa i dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim policor për 48-orë.