image Lista Serbe vë në dyshim pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale

Politikë

Lista Serbe vë në dyshim pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale

news image

Pas akuzave ndaj Kosovës se po shkel marrëveshjet e Brukselit, Lista Serbe ka thënë se do ta shqyrtojë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në Kosovë më 17 tetor.

Reagimi kësaj partie vjen pas vendimit Gjykatës së Apelit në Kosovë pasi që e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Lista Serbe thotë se pas konsultimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrë  se vendimin për pjesëmarrje, ose jo në zgjedhjet lokale.

“Duke pasur parasysh se Prishtina vazhdimisht shkel Marrëveshjen e Brukselit në dëm të serbëve në konsultim me presidentin, Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqjen tonë, do të shqyrtojmë nëse do të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës: Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, kanë reaguar gjithashtu ndaj vendimittl Gjykatës së Apelit.

Sipas tyre, vendimi shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Brukselit në fushën e drejtësisë dhe rrezikon të drejtat themelore të serbëve.

Ata janë shprehur se do të shqyrtojnë gjithashtu pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Vendimi është marrë nga një panel një etnik i gjyqtarëve dhe sipas tyre Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë mes Kosovës dhe Serbisë parasheh panel me përzierje etnike, kanë thënë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në reagimet e tyre.

 Todosijeviq ishte dënuar pasi në mars të vitit 2019 gjatë një tubimi pati thënë se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave,  fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mbrojtja e të pandehurit ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, pas vendimit të Gjykatës Themelore duke thënë në ankesë se “mbrojtja konsideron se veprimi me të cilin ngarkohet i akuzuari nuk është vepër penale dhe për këtë aktakuza duhet të hedhet”

Sipas mbrojtjes, veprimi inkriminues nuk ka shkaktuar trazira, dhunë ose pasoja tjera të rënda siç parasheh në formën e rëndë të kësaj vepre Kodi Penal. Mbrojtja gjithashtu ishte thirrur në të drejtën e lirisë së shprehjes së mendimit.

Deklarimi i të akuzuarit në tubimin me qytetarë, ditën kritike, nuk mund të trajtohet si liri e shprehjes së mendimit por, ajo në vete përmban plotësisht formën e nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes ndaj popullatës së përkatësisë shqiptare në Kosovës, është thënë ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker. /GazetaSinjali/