Lista Srpska ka kërkuar një takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se 31 tetori është afati i fundit kur qytetarët serbë mund t’i riregjistrojnë targat në RKS.
Lista Srpska përmes një postimi thotë se duhen të merren vesh me Vuçiqin për veprimet e ardhshme.
“Në emër të popullit serb nga Kosova dhe në lidhje me njoftimin e Albin Kurtit se më 1 nëntor do të fillojë konfiskimin e pronës së qytetarëve tanë dhe automjeteve me targa serbe, ne përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova kërkojmë takim urgjent me presidentin Aleksandar Vuçiq”, thuhet në këtë deklaratë të Listës Serbe të publikuar në Facebook.
“Njoftimet për veprime të dhunshme ndaj popullit tonë nga Albin Kurti, sidomos në veri të Kosovës dhe shkaktojnë frikë dhe pasiguri dhe duhet të takohemi urgjentisht dhe të merren vesh se si të ruhet qetësia dhe siguria e qytetarëve, por edhe interesat jetike të popullit tonë, sepse të gjithëve u duket qartë se populli ynë nuk pajtohet me lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, e cila synon të dëbojë çdo gjë që është serbe nga këto zona”.
Përkundër thirrjeve nga Qeveria e Kosovës që qytetarët serbë t’i ndërrojnë targat deri më 31 tetor, Lista Serbe vazhdoi të thoshte se institucionet e Kosovës nuk kanë vullnet për dialog e kompromis.
“Deklaratat e fundit të Albin Kurtit tregojnë qartë se në Prishtinë nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje dhe kompromise, por vetëm dëshirë për të shkaktuar krizë dhe tensione, veçanërisht në veri të Kosovës. Populli serb në Kosovë i beson vendit të tyre Serbisë dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq se së bashku do t’i përballojmë të gjitha sfidat përpara”, përfundon deklarata.
Ndryshe, Kurti dje ka konfirmuar se 31 tetori mbetet afati i fundit për riregjistrim të veturave.