image Arsyetimi i gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 24 të dyshuarve në rastin "Karaçeva"

Drejtësi

Arsyetimi i gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 24 të dyshuarve në rastin “Karaçeva”

news image

Gjykata Themelore në Gjilan sot ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 24 të dyshuarve, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të djeshëm të zhvilluar nga organet e ndjekjes në rastin e njohur si “Karaçeva”.

Ky aktvendim i gjykatës së shkallës së parë u mor pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila u vlerësua si e bazuar pas paraqitjes së provave nga ana e kësaj të fundit.

Gazeta Sinjali ka siguruar aktvendimin e kësaj gjykate, e cila dyshimin e bazuar se 24 të dyshuarit kanë kryer veprën penale e mbështet në listën e provave, në mesin e të cilave bën pjesë edhe përgjimi i të dyshuarve nga prokuroria.

“Dyshimi i bazuar se këta të pandehur kanë kryer veprat penale, mbështetet në të gjitha provat materiale, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, siç janë: procesverbalet nga intervistimi ndaras i të pandehurve, procesverbalet e kontrollimit të vendbanimeve, lokaleve, pronave, vërtetimet mbi sekuestrimin e sendeve nga Dogana, vërtetimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, raporti i vëzhgimit dhe provat e deponuara në gjykatë me datë 19 shtator 2020, si dhe prova të tjera që i janë bashkëngjitur të njëjtës, rrethana këto që përmbushin kushtin ligjor për dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale të lartcekura nga të pandehurit”, thuhet në aktvendim.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit duke vlerësuar se nëse të pandehurit gjenden në liri, ekziston mundësia e shkatërrimit, fshehjes, ndryshimit ose falsifikimit të provave materiale të cilat mund të kenë rëndësi për vërtetimin e cilitdo fakt relevant.

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht rreth aksionit të zhvilluar në disa rajone të Kosovës, cak i të cilit ishin bizneset e përpunimit dhe shitjes së produkteve të mishit të kontrabanduar.

Në mesin e raportimeve ekskluzive ishte edhe lista e bizneseve dhe personave të përfshirë në këtë rast./Gazeta Sinjali/