image Lirim Zendeli tregon shifrën e çmendur që i duhet për të garuar në Formula 2: Aty çdo gjë e paguan vetë

Sporte të tjera

Lirim Zendeli tregon shifrën e çmendur që i duhet për të garuar në Formula 2: Aty çdo gjë e paguan vetë

news image

Lirim Zendeli ishte piloti i vetëm shqiptar që po shkonte në rrugën drejt garës më të madhe në këtë sport, Formula 1.

Fatkeqësisht shqiptari duhej të tërhiqej nga gara e Formula 2 sepse shpenzimet ishin marramendëse dhe nuk mund t’i mbulonte dot.

Të paktën për disa kohë, deri në momentin që një biznesmen do të arrijë që ta rikthejë në adrenalinën e shpejtësisë. I ftuar në “Procesi Sportiv”, Zendeli tregon shumën që nevojitet në këtë rast.

“Duhet mbështetje financiare, pasi ky sport kushton shumë. Kemi pasur vështirësi financiare. Të kalosh në Formula 1 nuk është e lehtë.

Në fillim duhet të garosh për skuderi të mira në Formula 2 dhe të sjellësh rezultate ose edhe të fitosh kampionatin në Formula 2. Kemi pasur shanse të bashkëpunonim me Formula 1, kisha disa kontakte, por nëse vazhdoja në Formula 2.

Shuma që duhet mbledhur është 1.3 milionë euro. Në Formula 2 duhet të ruhesh shumë se nëse unë bëj gabimin tim në garë dhe dëmtohet makina, duhet t’i paguaj unë paratë.

Schumacher unë e njoh edhe familjarisht. Ka qenë shefi i ekipit kur unë garoja disa vite më parë dhe kam qenë bashkë me djalin e tij”, tha Zendeli.

Kujtojmë së pak ditë më parë TKZ, grupimi më i madh i tifozëve kuqezi ka bërë një thirrje në rrjetet sociale ku janë publikuar edhe mënyrat për të ndihmuar financiarisht këtë super talent, që një ditë ndoshta do na bëjë të gjithëve krenar. /Gazeta Sinjali Sporti/