image “Liqeni” i Lakrishtës që po i bllokon banorët sa herë që bie një rigë shiu

Kosovë

Kryeqytet/ “Liqeni” i Lakrishtës që po i bllokon banorët sa herë që bie një rigë shiu

news image

Banorët e rrugës “Bahri Kuçi” në Lakrishtë janë zgjuar sot për të satën herë të “befasuar” nga uji i cili ka bllokuar rrugën si pasojë e reshjeve të shiut.

Një sinjalizuese, banore e kësaj lagjeje, ka dërguar fotografi nga vendi i ngjarjes, ku shihet sesi uji ka përfshirë pothuajse tërë rrugën duke e bërë të paqarkullushme për këmbësorë.

Ajo ankohet se si pasojë e kësaj gjendjeje nuk po arrijnë ta kalojnë rrugën banorët ndërkohë që fëmijët të cilët shkojnë në shkollë prej orëve të hershme të mengjesit, po rrezikojnë shëndetin e tyre.

Sipas saj kjo gjendje përsëritet shpeshë, sa herë që bie shi sado sasi e vogël që të jetë për shkak të bllokimit të ujëmbledhësve dhe kanalizimit.

Gjendja bëhet edhe më alarmante pasi, sipas fotove të dërguara, edhe trotuaret e destinuara për kalim të këmbësorëve shihet se janë zënë  nga veturat si pasojë e parkimit të paligjshëm nga shoferët.

Kjo banore thekson se parkimi i paligjshëm është problem i vazhdueshëm në këtë pjesë të kryeqytetit ndërkohë që autoritetet komunale nuk kanë bërë asgjë për lirimin e trotuareve qoftë edhe përms vendosjes së kunjave.

Kryeqytetasja ankohet se kjo rrugë e Prishtinës edhe ashtu prej vitesh, është vazhdimisht e ngulfatur për shkak të parkimit të kombibusëve të cilët mbajnë linjat rajonale Prishtinë- Drenas dhe anasjelltas.

Ajo apelon te  komuna e Prishtinës që të ndërmarr ndonjë veprim për largimin e kombibusëve nga ky vend i cili nuk është i destinuar për ta dhe krijimin e kushteve për qarkullim normal të banorëve të kësaj lagjeje./ Gazeta Sinjali/