Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se përkundër që në disa shkolla kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, mësimdhënës dhe nxënës situata është nën kontroll.
Ai tha se në ato shkolla ku ka pasur raste pozitive e kanë vazhduar mësimin online, derisa theksoi se nuk presin rritje të rasteve me COVID brenda shkollave.
“Ka disa raste ku janë diagnostikuar edhe mësimdhënësit edhe nxënësit nga IKSHPK, natyrisht ne i kemi skenarët e përgatitur dhe varësisht prej situatës që ka qenë me pandeminë janë rekomanduar edhe skenarët, disa prej shkollave kanë kaluar në mësimin online për 14 ditë. Gjendja e tyre është duke u vëzhguar nga stafi mjekësor i komunave përkatëse, njëkohësisht edhe IKSHPK është vazhdimisht duke e observuar dhe gjithçka momentalisht është nën kontroll. Ne nuk shpresojmë se do të kemi rritje të rasteve, kemi pasur një mbarëvajtje shumë të mirë të procesit mësimor, i kemi edhe dy ditë që parashihen pak a shumë më të vështira, në qoftë se edhe këto dy ditë, do të thotë sot dhe nesër i kalojmë me sukses atëherë besojmë që kemi një fillim shumë të mbarë të vitit shkollor”, tha ai.
Këto komente ministri Likaj i bëri me rastin ku Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Volontari nel Mondo-RTM “Aleanca Për Zhvillimin e Edukimit Parashkollor në Kosovë” nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi./Gazeta Sinjali/