Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka folur për një lidhje të supozuar midis vaksinave kundër koronavirusit dhe sëmundjes së AIDS-it. Ai tha se njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar që kanë marrë dy doza të vaksinës së koronavirusit po zhvillojnë SIDA më shpejt se sa pritej.
Videoja e tij me këtë përmbajtje është hequr nga Facebook dhe Instagram. Rrjeti social Facebook tha se videoja i ka shkelur politikat e tij për vaksinat.
“Politikat tona nuk i lejojnë pretendimet se vaksinat kundër koronavirusit vrasin ose i dëmtojnë seriozisht njerëzit”, tha Facebook në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve AP.
Në video, Bolsonaro ka thënë se ka raporte që “sugjerojnë se njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit zhvillojnë Sindromën e Mungesës së Imunitetit shumë më shpejt sesa pritej”.
Që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit të kaluar, Bolsonaro ka folur vazhdimisht kundër izolimit, maskave dhe vaksinimit.
Kjo nuk është hera e parë që videot e tij hiqen nga platformat digjitale, për shkak të shkeljeve të politikave. Vitin e kaluar, Twitter dhe Facebook kanë hequr videot, ku Bolsonaro ka pretenduar se numrat e lartë të të infektuarve me koronavirus do ta bëjnë Brazilin imun.
Brazili ka përjetuar një ndër normat më të larta të infektimit dhe vdekshmërisë nga koronavirusi.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 21 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 605,000 kanë vdekur. /Gazeta Sinjali/