image Liderët e BE-së: Të miratohet hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

Rajon

Rajoni/ Liderët e BE-së: Të miratohet hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

news image

Drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane, u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të miratojnë hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi besojnë se të dyja vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar këtë proces.

Letra e përbashkët u nënshkrua nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe presidentja e ardhshme e këtij institucionit, Ursula von der Leyen.

“Bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE-ja do të ruajë rolin e saj në skenën ndërkombëtare dhe të mbrojë interesat e saja, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të këtyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes, dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në letër.

“Nuk ka garanci për sukses. Gjatë rrugës, do të ketë shumë punë të vështirë në reforma. Anëtarësimi nuk do të ndodhë brenda natës, dhe të dyja vendet janë të vetëdijshme për këtë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Tusk, Sassoli, Juncker dhe Von der Leyen.

Në një takim ministrorë që do të mbahet në Luksemburg më 15 tetor, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së duhet të vendosin për hapjen ose jo të negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ky vendim duhet të konfirmohet më pas në një samit, i cili do të zhvillohet në 17-18 tetor në Bruksel.

Në mbledhjen e tyre në qershor, ministrat miratuan konkluzionet për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke premtuar se do të marrin një vendim “jo më vonë se tetori i vitit 2019”.

Franca dhe Hollanda janë ndër kundërshtarët kryesorë të hapjes së negociatave të pranimit.

/Gazeta Sinjali/