image Britania dhe BE-ja vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë për sulmet kibernetike në Evropë

Botë

Britania dhe BE-ja vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë për sulmet kibernetike në Evropë

news image

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar një paketë të re sanksionesh ndaj individëve dhe subjekteve të lidhura me shërbimet ruse të inteligjencës, të cilat akuzohen për sulme kibernetike me synim destabilizimin dhe përçarjen e vendeve evropiane.

Londra ka vendosur masa ndaj 24 individëve dhe subjekteve, ndërsa Bashkimi Evropian ka sanksionuar 13 persona dhe organizata, përfshirë oficerë të shërbimit rus të inteligjencës ushtarake, GRU.

Për herë të parë, Britania dhe BE-ja kanë identifikuar bashkërisht Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, FSB, si përgjegjës për një sulm ndaj rrjetit elektrik të Polonisë.

Sipas autoriteteve britanike, sulmi, i cili dyshohet se është kryer nga “Qendra 16” e FSB-së, nuk e ka arritur plotësisht objektivin, por ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 500 mijë persona gjatë dimrit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka deklaruar se e njëjta njësi dyshohet se ka qenë e përfshirë edhe në operacione të spiunazhit kibernetik kundër institucioneve strategjike franceze që nga viti 2010.

“Ne e dënojmë fuqimisht sjelljen e Rusisë”, ka thënë Kallas, duke akuzuar Moskën se po përdor kriminelë kibernetikë, hakerë dhe kompani private për kryerjen e sulmeve.

Edhe sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka deklaruar se Rusia ka arritur një “nivel të ri paturpësie” në përpjekjet për të cenuar sigurinë evropiane, duke përmendur sulmet ndaj bizneseve dhe infrastrukturës energjetike.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit. Britania ka sanksionuar deri më tani rreth 3 mijë e 400 individë dhe subjekte të lidhura me mbështetjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërsa BE-ja rreth 2 mijë e 700.

Ndërkohë, Gjermania ka thirrur ambasadorin rus për të protestuar ndaj aktiviteteve të dyshuara kibernetike, duke paralajmëruar edhe masa shtesë.

Edhe Franca ka njoftuar se do ta thërrasë ambasadorin rus në Paris lidhur me një fushatë kibernetike, e cila dyshohet se ka prekur të paktën dhjetë vende evropiane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/