Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet në lidhje me kërkesën e gjykatës për rastin e iniciuar nga Grupi Parlamentar i LVV-së për dekretin e presidentit Hashim Thaçi.
Nagavci ka theksuar se shkeljet e presidentit janë të shumëfishta dhe të rënda.
“Shkeljet e presidentit janë të shumëfishta dhe të rënda, ne besojmë që të gjitha argumentet juridike janë në anën tonë. Sipas Kushtetutës presidenti do të duhej të ishte unifikues, mirëpo ai ka tejkaluar të gjitha kompetencat e tij duke favorizuar parti politike dhe duke vepruar për interesa qoftë personale apo partiake. Në mënyrë jashtëkushtetuese presidenti Thaçi ka konstatuar se LVV ka hequr dorë nga e drejta e saj për të mandatar kandidatin për kryeministër, ndonëse ne nuk e kemi bërë asnjëherë një gjë të tillë”, tha Nagavci.
Ajo shtoi se besojnë që Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim në favor të kërkesës së LVV-së.
“Ne besojmë që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim që do të jetë në favor të kërkesës së grupit parlamentar të LVV-së dhe do të konstatojë që presidenti i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe ka shkelur kushtetutën me dekretin e 30 prillit”, u shpreh Nagavci./Gazeta Sinjali/