Edhe pse punëtorët shpesh herë marrin lëndime trupore gjatë kohës që janë duke punuar, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës. Si pasojë e kësaj janë të shpeshta rastet kur punëtorët kërkojnë ndihmë mjekësore në spital për shkak të lëndimeve të marra, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe sot në fshatin Petrovë të Prizrenit, ku një person është lënduar teksa po punonte në fabrikën e zinkut.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 29-vjeçari është dërguar atje në gjendje të rëndë. Pas dhënies së ndihmës së parë, stafi mjekësor ka udhëzuar që viktima të transferohet me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Të njëjta burime bëjnë me dije se pas intervenimit të mjekëve, gjendja shëndetësore e të lënduarit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët bashkë me Inspektoratin kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Lëndim i rëndë trupor’.