Skuadra e Los Angeles Lakers u kthyen në parket këtë të premte, për herë të parë që nga vdekja tragjike e legjendës së tyre, Kobe Bryant, i cili vdiq në një aksident ajror së bashku me të bijën, Giannën.
Në shenjë nderimi për Bryant, lojtarët veshën bluzat me inicialet KB, teksa në radhën e parë të spektatorëve u lanë dy karrige bosh në nder të Kobe dhe Giannas, transmeton Gazeta Sinjali.
Një fjalim tejet emocionues e bëri ylli i basketbollit, LeBron James, i cili ishte me lot qysh nga fillimi i fjalimit.
Teksa lexoi atë që kishte shkruar fillimisht për familjarët e të gjithë personave që vdiqën në këtë aksident ajror, James vendosi t’i thoshte disa fjalë nga zemra për mikun e tij Bryant.
“Gjëja e parë që më bie në mend është familja dhe përderisa shikoj këtë arenë, ne jemi të gjithë të pikëlluar, të lënduar dhe zemërthyer. Kur kalojmë gjëra të tilla si kjo, gjëja më e mirë që mund të bëni është të mbështeteni në familjet e juaja… Sonte ne festojmë jetën e një personi që erdhi këtu në moshën 18-vjeçare, e që u pensionua në moshën 38-vjeçare dhe që u bë shembull i një babai të shkëlqyeshëm tre viteve të fundit”, ka thënë James përderisa qëndronte pranë buqetave me lule, të cilat ishin formësuar në numrat e 8 dhe 24.
Teksa në kohën e pushimit mes pjesëve të ndeshjes, artistët e njohur Wiz Khalifa dhe Charlie Puth, dhuruan për publikun një performancë prekëse të këngës “See You Again”./Gazeta Sinjali/