Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit. Kjo për shkak të pakënaqësisë për shtyerje të seancës për shkak të mungesë së kuorumit.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se që nga ora 11:00 prej kur do duhej të niste seanca, kishte kuorum.
“Mendoj se është me rëndësi me kuptu se Kuvendi merr vendime me shumicë. Kemi më shumë se 4 orë që Kuvendi ka kuorum por nuk voton që të vazhdohet seanca, andaj ne nuk do të marrim pjesë në këtë seancë. Është e paarsyeshme, e palogjikshme. Në momentin që Kuvendi i ka 61 deputetë duhet të mbahet seanca”, u shpreh Gashi.
I të njëjtit mendim ishte edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili kërkoi përgjegjësi nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne po ashtu kërkuam që kjo seancë të mos ndërprehet sepse kishim kuorum edhe më herët. Ishim 61 deputetë. Kërkojmë përgjegjësi nga mazhoranca në këtë mandat. Nuk mendoj që duhet të vazhdojë Kuvendi i Kosovës siç jemi duke vazhduar tani”, tha deputeti i PDK-së.
Me arsyetimin se nuk ka kushte pune në Kuvend, shefi i GP të AAK-së ,Besnik Tahiri tha se nuk do të qëdrojnë në Kuvend.
“Siç po shihet nuk ka kushte, nuk ka numra. Ne mundemi me qëndru si trup fizik, por s’ka kushte për punë. Andaj e lëshojmë seancën”, u shpreh Tahiri.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar ta mbajë seancën.