image LDK pas suspendimit të policit Amir Hoxha: Tendenca për ta heshtur kritikën është cenim i demokracisë

Politikë

LDK pas suspendimit të policit Amir Hoxha: Tendenca për ta heshtur kritikën është cenim i demokracisë

news image

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas suspendimit prej tri ditësh të zyrtarit policor, Amir Hoxha.

Ajo tha se tendenca për ta heshtur kritikën është cenim i demokracisë.

Më tutje, Halimi deklaroi se suspendimi i zyrtarit policor është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare dhe se krijon precedent kundërt lirisë së shprehjes.

“Tendenca për ta heshtur kritikën, duke përdorur mekanizmat shtetërorë, përveç se është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, është cenim i madh i demokracisë dhe krijon precedent të tmerrshëm kundër lirisë së shprehjes. Qeveria, institucionet shtetërore dhe policia duhet të përdorin të gjitha mjetet që me çdo kusht ta ruajnë këtë liri kushtetuese, e jo t`i përdorin ato si mjet për t`ia mbyllur gojën, kujtdo që e kritikon pushtetin. Në vend se kjo qeveri të kujdeset për sigurimin e kushteve të dinjitetshme për Policinë e Kosovës, ajo po kujdeset që t’i mbajë të nënshtruar nëpërmjet disiplinimit dhe kontrollit të tyre”, ka shkruar Halimi në një postim në Facebook.

Publikimi i shpenzimeve të deputetëve të Kuvendit për naftë, ka nxitur një reagim masiv të shoqërisë. Kritikë për shpenzimet e mëdha të deputetëve për naftë ka bërë edhe polici i Kosovës, Amir Hoxha. Teksa ka kritikuar, Hoxha ka përmendur faktin se si policët nuk janë duke i marr shtesat as për punë jashtë orarit e as për shujta, e që deputetëve u paguhen edhe karburantet për të shkuar në punë. Kjo kritikë publike përmes një postimi në “Facebook”, Hoxhës i ka kushtuar me suspendim prej 3 ditësh.

Ai pretendon se është suspenduar për arsyen se ka kryer shkelje të rëndë disiplinore duke u ankuar në rrjete sociale.

“Sapo mora njoftimin per suspendim të përkohshëm  timin në afat prej 3 ditesh lidhur me një postim qe e kam bërë me datën 04.02.2022 ne lidhje me pakënaqësinë time per mospagesën e shujtave për policët ne kryerje të detyrës e qe ligjërisht na takojnë . Suspendimi vjen me pretekstin se unë kam  kryer veper penale apo  shkelje të rëndë disciplinore ,  e që me sa dij unë me njohurinë  time si jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës  ” fjala e lire apo shprehja e nje paknaqesie e cila eshte e bazuar ne ligj” nuk paraqet vepër  penale”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

/GazetaSinjali/