image Kurti: Gjuriq shkeli "rendin e ligjin e Kosovës" me thirrjet për moszbatimin e vendimit të Qeverisë për targat
[wp-story id="814678"]

Drejtësi

Kurti: Gjuriq shkeli “rendin e ligjin e Kosovës” me thirrjet për moszbatimin e vendimit të Qeverisë për targat

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur konferencën e djeshme të komandantit të Policisë në Veri, Nenad Gjuriq që kishte thënë se nuk e zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e fletave qortuese për shoferët me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Kurti, tha se thirrja e Gjuriqit është në shpërputhje me rendin e ligjin në Kosovë.

“Është një gjë kur dështon zbatimi, dhe një gjë tjetër kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi. Por i përket organeve të sigurisë, Policisë, që të merren me këtë thirrje e cila qartazi është në shpërputhje me rendin e ligjin në Kosovë”, argumentoi Kurti.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka raportuar sot Gjuriq tashmë është suspenduar nga detyra, pasi dyshohet se ka konsumuar dy veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas burimeve brenda Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PSRK është në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe së shpejti do të autorizojë hetimin preliminar kundër Gjuriq për veprat e sabotimit dhe thirrjes për rezistencë.

Subjekt i ‘mikroskopit’ të PSRK-së do të jenë edhe deklaratat e kapitenit Gjuriq për mediat, në të cilat ai haptazi ka shprehur qëndrimin se Policia në Veri nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për targat.

Sinjali ka provuar të marrë një përgjigje zyrtare nga PSRK, por të njëjtit deri më tani nuk kanë dhënë detaje lidhur me rastin.

Kujtojmë se Gjuriq gjatë ditës së djeshme tha se patrullat policore janë dërguar në veri pa dijeninë dhe aprovimin e Drejtorit Rajonal të Policisë Veriore.

Për vendimin se nuk do të zbatojnë fjalën e Qeverisë, ai tha se paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).

/GazetaSinjali/