Lidhja Demokratike e Kosovës sot do të dorëzojë kallëzim penal për shkak të punësimeve të dyshimta në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Kështu është bërë e ditur nga vetë LDK-ja, të cilët përmes një komunikate kanë paralajmëruar konferencë për medie nga ora 14:00, raporton Gazeta Sinjali.
“Sot (e mërkurë), më datë 6 prill 2022, në orën 14:00, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon kallëxim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në KEK. Pas dorëzimit të kallëzimit mbahet konferencë për medie, para Pallatit të Drejtësisë”, bëhet e ditur në komunikatë.
Ndryshe, rreth aplikimit të qytetarëve në KEK, të martën ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se ky konkurs nuk ka fare rëndësi sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet.
Abdixhiku është shprehur se ky është modeli i pushtetit në vend.
Ai ka bërë të ditur se gjithashtu kanë ftuar Prokurorinë të nisë hetimet mbi këtë proces, të cilin e ka quajtur skandaloz e korruptiv.
Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka nisur hetime për pretendimet se janë kryer shkelje ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në konkursin e KEK-ut.
Kujtojmë se në media është raportuar për punësimin e qindra personave, të afërt me Lëvizjen Vetëvendosjen, përmes një konkursi të hapur për punësim nga KEK-u.