image Lajmi për bombë në "Mirëdita, dobar dan" është i rremë, festivali vazhdon

Rajon

Lajmi për bombë në “Mirëdita, dobar dan” është i rremë, festivali vazhdon

news image

Ka rinisur pas një ndërprerjeje një orëshe për shkak të një alarmi për bombë festivali “Mirëdita, dobar dan”.

Policia përcaktoi se informacioni për bombë në Qendrën për Dezinfektimin Kulturor (CZKD) në qendër të Beogradit, ku po mbahet festivali ishte i rremë. Pas kësaj, programi i festivalit rinisi në oborrin e CZKD.

Informacioni rreth bombës së dyshuar erdhi në e-mailin e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), një prej organizatave që organizon festivalin, menjëherë pas nisjes së aktivitetit rreth orës 18:00.

Një ditë para ceremonisë zyrtare të hapjes së festivalit, më 25 maj, në Beograd u hap ekspozita me fotografi “Të gjithë lotët tanë” kushtuar viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, e cila është gjithashtu pjesë e programit të festivalit.

Çmimet e këtij edicioni të festivalit iu dhanë ditën e enjte Marinko Gjuriqit dhe Lush Krasniqit, përfaqësues të familjeve të viktimave të luftës në Kosovë. Ata të dy janë nga zona e Gjakovës dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Pasi festivali u hap pranë CZKD, një grup prej disa personash u mblodhën për të protestuar kundër festivalit. Ata brohoritën “Kosova është zemra e Serbisë” por policia nuk i lejoi ata t’u afrohen pjesëmarrësve dhe shikuesve.

Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që nga themelimi i tij në vitin 2014, është shoqëruar me protesta të organizatave dhe partive të djathta në Serbi – ata kërkuan ndalimin e festivalit dhe tentuan të pengojnë mbajtjen e tij.

Programi i festivalit të nëntë, sipas organizatorëve, është një ndërthurje e artit, skenës bashkëkohore kulturore dhe ngritjes së çështjeve të rëndësishme në kohëra që janë sfidë e madhe për Kosovën dhe shoqërinë serbe,.

“Ka një hendek të madh midis shoqërisë serbe dhe asaj kosovare. Festivali po përpiqet ta zvogëlojë atë hendek derisa të zhduket, ndërsa elitat politike po punojnë për ta thelluar atë,” tha për Radion Evropa e Lirë (RFE) Fiona Jelici nga organizata për të drejtat e njeriut (YIHR), një nga organizatat që organizon festivalin.

/GazetaSinjali/