image Lajmi i rremë për tërmetin, sqarohet gazetarja

Rajon

Shqipëri/ Lajmi i rremë për tërmetin, sqarohet gazetarja

news image

Reagon një nga gazetarët që u shoqërua mbrëmë nga policia në redaksi, pas akuzave për përhapje paniku te qytetarët, përmes lajmeve të rreme se një tërmet i fuqishëm do ndodhte mbrëmë në mesnatë.

Pas ngjarjes, gazetarja e Shekulli online, Daniela Grrica shkruan një status sqarues në rrjetet sociale. Sipas saj, lajmi që ka qarkulluar ka qenë i modifikuar dhe se ajo kishte cituar Top Channel, për paralajmërimin e sizmiologu grek.

Po ashtu, gazetarja tregon si e përjetoi atë moment, kur u shoqërua në redaksi nga policia, ende pa bërë asnjë lloj verifikimi.

Reagimi:

NUK ISHTE LAJMI IM, POR NJË FOTO E MODIFIKUAR DHE E BËRË VIRALE!
Nuk jam arrestuar. U shoqërova në polici për të sqaruar detaje rreth një foto (skrin) që nuk e di nga ku mbiu, por fatkeqësisht bëri hatanë. U ndjeva tmerrësisht keq kur kolegët e mi në polici kishin shpërndarë një deklaratë për mediat, se jam shoqëruar ende pa bërë asnjë lloj verifikimi apo pa më pyetur: Si qëndron puna moj vajzë?
Gjithashtu edhe kolegët e mi në televizione e portale, u ngutën për të bërë lajmin i pari, kush me foto, e kush me emër e mbiemër. FALEMINDERIT të gjithëve!
Unë di t’ju them që lajmi që unë kam publikuar në gazetën “Shekulli-online” nuk është ai që u bë viral, ai që la mijëra qytetarë jashtë shtëpive për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre.
Ju siguroj se unë shtetasja, Daniela Grrica, që u shoqërova në polici për diçka që s’kam bërë, se ai lajm nuk është deformuar apo ekzagjeruar nga unë për disa palo klikime.
Nuk do e bëja kurrë! Sepse pikë së pari jam njeri, dhe ashtu siç më kanë rritur prindërit e mi, një njeri me parime, që nuk e shet apo zmadhon fjalën pa pasur një bazë apo indicie konkrete. E aq më pak nuk do e bëja si gazetare sado e “vogël” që jam.
Lajmi i im ishte vetëm një citim i një medie preststigjoze shqiptare dhe titulli im fjalë për fjalë është ky:
“Paralajmërimi i sizmologut grek: Kujdes tërmetet e tjera, mund të jenë shkatërruese!” (Pjesa tjetër e titullit, ku fitet për një orar është e shtuar)
Dhe më poshtë vijon intervista e plotë, ashtu siç ishte në median që unë kam cituar, pa asnjë lloj ndryshimi të mëvonshëm, përveç se publikimit të tij të parë në orën 15:11 minuta të datës 22 shtator.
Ju do thoni: Po ai foto-skrin që përhapi panik te të gjithë qytetarët dhe që mban emrin tënd çfarë ishte?
Nuk e di! Nuk e di kush, pse, çfarë kërkoi ai apo ajo që modifikoi atë foto. Sepse ai nuk është një lajm, i shpërndarë me link, është një foto e modifikuar me fotoshop që përhapi panik.
Ndjej keqardhje të thellë që e gjitha kjo u përhap dhe u keqpërdor në masë, duke njollosur emrin tim, ende pa u akuzuar. Por për një gjë të jeni të sigurt, kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund, deri sa të dalë në dritë e vërteta e njollosur nga një “mjeshtër” fotoshopi.