Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se në fshatin Nivokaz të Gjakovës, në një lokal pati të shtëna me armë, ku ishin mbledhur mbi 20 persona gjatë orës policore, në mesin e tyre edhe një zyrtar policor, duke shkelur kështu vendimet e Qeverisë.
Në të njëjtin lokal ku argëtonte këngëtari Muhamet Sejdiu, Gazeta Sinjali mëson se ishte i pranishëm zyrtari policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, Xhafer Krasniqi, i cili zgjodhi argëtimin në vend të denoncimit dhe intervenimit.
Në pamjet e siguruara nga Gazeta Sinjali, zyrtari policor Krasniqi, shihet në tavolinën e mbushur me meze e raki, me dhjetëra persona, të cilët u argëtuan edhe me përdorimin e armës.
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se njëri nga personat që dyshohet se shtiu me armë brenda lokalit mund të jetë edhe zyrtari policor.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës njoftojnë se pas inspektimit të këtij lokali rreth orës 21:40, në vendin e ngjarjes janë konfiskuar 7 gëzhoja 9mm dhe 9 gëzhoja të armës me gaz.
Në këtë lokal gjatë inspektimit të Policisë, në të cilin dyshohet se pati edhe persona nën ndikimin e alkoolit, për çka intervenoi edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë e PK-së, është sekuestruar edhe një DVR, pasi që një pjesë e lokalit ka qenë nën vëzhgimin e kamerave.
Nga Policia e Kosovës nuk kanë dhënë informacione lidhur me përdorimin e armës nga zyrtari policor, derisa as nga Inspektorati Policor i Kosovës ende nuk janë përgjigjur në telefonatat e Gazetës Sinjali.
Më poshtë gjeni pamjet, ku shihet zyrtari policor, por edhe një person tjetër i cili shtien me armën me gaz në mes të lokalit.