image Ky është sqarimi i ministrisë pse nuk ju dha Petkoviqit leje për të hyrë në Kosovë

Politikë

Ky është sqarimi i ministrisë pse nuk ju dha Petkoviqit leje për të hyrë në Kosovë

news image

Shefit të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq nuk i është lejuar vizita dy ditore(3-4 shtator) në Kosovë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë kanë treguar se ai në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhën e urrejtjes dhe nxitëse duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit “universitetet” në Mitrovicë të Veriut.

“Z. Petkoviq, në rolin e tij si drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ashtu edhe si kryenegociator i palës serbe, ka ofruar në vazhdimësi garancione që vizitat e tij në Kosovë do t’i organizojë duke shmangur në tërësi provokimet dhe deklarimet eventuale nxitëse. Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit “universitetet” në Mitrovicë të Veriut. Për më tepër, ai nuk e ka paralajmëruar këtë aktivitet tek pala kosovare”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KosovaPress.

Vizita me 3-4 shtator i është ndaluar vetëm Petkoviqit, ndërsa pjesës tjetër të delegacionit i është miratuar hyrja.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen”, shtohet në përgjigjen e MPJD-së.

Ndërsa paraditen e kësaj të premte nga zyra e të ashtuquajturës zyra Serbe në Kosovë tha se “ky është ndalimi i tretë për negociatorin kryesor serb në dialogun teknik”.

Siç thuhet në njoftim, ndalimi ndaj Petkoviqit, para vazhdimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, tregon gjithashtu mosgatitshmërinë e Prishtinës për të normalizuar marrëdhëniet me Beogradin.

Sipas kësaj zyre, Petkoviq ka planifikuar që në Kosovë të qëndrojë dy ditë për vizitë në vendet ku ka investuar Serbia.

Një shkelje flagrante e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjes për vizitat zyrtare dhe ky ndalim do të jetë temë e takimeve të ardhshme në Bruksel ”, sipas njoftimit në Facebook . /GazetaSinjali/