image Ky është serbi i arrestuar në Merdare si i dyshuar për krime lufte, ishte kryeshef i milicisë në vitet '98-'99

Siguri

Ky është serbi i arrestuar në Merdare si i dyshuar për krime lufte, ishte kryeshef i milicisë në vitet ’98-’99

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar një person i dyshuar për krime të kryera gjatë luftës. Sipas njoftimit nga Policia, i dyshuari është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është serbi Momir Pantic, teksa për të njëjtin hetuesit policorë kanë pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës.

Sipas Policisë, hetimet kanë qenë të përqendruara rreth zbulimit të autorëve të krimeve të kryera në periudhën 1998-1999 në rajonin e komunës së Istogut.

“Në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale.

Procesi hetimor është ndihmuar nga zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me të cilët është bashkëpunuar ngushtë në një punë ekipore, ku është bërë përpunimi inteligjent i informatave.

Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog”, thuhet në njoftim.

“I dyshuari M.P., është arrestuar sot, më 04.08.2023, në ora 18:05, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare. Me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, përfundon njoftimi.

/GazetaSinjali/