Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për përjashtimin e Haris Kelmendit, ish-pjesëtarit të Njësisë për Reagim të Shpejt nga Policia e Kosovës.
Lidhur me këtë rast, Sinjali ka siguruar vendimin e Komisionit Disiplinor të brendshëm të Policisë së Kosovës me arsyet për përjashtimin e Kelmendit.
Ky është rasti për të cilin Haris Kelmendi është përjashtuar nga Policia.
Sipas këtij vendimi Haris Kelmendi më 4 qershor 2020, rreth orës 00:00, derisa kishte qenë jashtë detyrës zyrtare dhe në shoqëri me një femër dhe një shoqe të saj, në rrugën “Enver Zyberaj” e kishte telefonuar Policinë duke u thënë se në një veturë, disa persona kishin qenë të armatosur dhe e kishin kërcënuar një person tjetër. Raportimin për këtë rast Kelmendi e kishte bazuar në fjalët e shoqes së tij (emër i njohur për redaksinë).
Bazuar në këtë informatë, policët Lirian Kelmendi, Gentian Kurteshi dhe Besnik Morina kishin arritur ta ndalonin këtë veturë në rrugën “Luan Haradinaj”. Në vendin e ngjarjes, ku kishte qenë edhe zyrtari policor jashtë detyre, Haris Kelmendi, kishin shkuar edhe njësitet e tjera të policisë, ku nën ulësen e pasagjerit kishin gjetur një armë lodër plastike.
Në këtë rast, personat e dyshuar M.M., dhe A.A., (emra të njohur për redaksinë) ishin dërguar në stacionin policor Qendra nga policët Lirian Kelmendi dhe Besnik Morina. Ndërsa polici tjetër Gentian Kurteshi kishte mbetur në vendin e ngjarjes.
Në këtë vendim thuhet se përkundër që Kelmendi ka qenë jashtë detyrës zyrtare, ai kishte shkuar sërish në Polici bashkë me shoqen e tij për ta paraqitur rastin që kishte ndodhur.
Dy personat e dyshuar kur arritën në Polici u vendosën në dhomën e mbledhjeve, ku më pas vetëm njëri mbeti aty sepse tjetri u dërgua në një zyrë tjetër.. Në dhomën e mbledhjeve mbeti personi i dyshuar M.M, për t’u intervistuar nga zyrtari Lirian Kelmendi.
Si e sulmoi Haris Kelmendi personin e dyshuar?
Derisa polici Lirian Kelmendi kishte qenë vetëm me M.M., në këtë zyrë, kishte hyrë polici Haris Kelmendi, në rroba civile, duke e sulmuar personin e dyshuar dhe duke e ofenduar me fjalë fyese e nënçmuese. Kështu ai i kishte shkaktuar lëndime trupore personit të dyshuar, të cilit më pas i kishte rrjedhur gjak nga goja e nga hunda.
Në ato momente, polici Lirian Kelmendi kishte reaguar duke e kapur për krahu policin Haris Kelmendi dhe duke e larguar nga personi i dyshuar.
Kelmendi për këtë rast fillimisht ishte suspenduar përkohësisht e më pas ishte ndaluar për 48 orë.
Sipas këtij vendimi personi i sulmuar nga Haris Kelmendi në asnjë moment nuk kishte paraqitur mosbindje apo rezistencë ndaj policëve që ishin marrë me të.
Shkeljet për të cilat Kelmendi është fajtor
Prandaj në këtë vendim thuhet se Haris Kelmendi është fajtor për shkelje disiplinore; shkelje të rëndë diskredituese; ndërhrje, pengim apo tentim në proceset ligjore dhe në kryerjen e detyrave zyrtare; sjellje në mënyrë të tillë duke dëmtuar imazhin e PK-së gjatë ushtrimit të detyrës apo jashtë saj; jo objektiviteti në punët policore që shkaktojnë pasoja në trajtimin e qytetarëve apo punëtorëve të policisë; shkelje e rëndë e autorizimit, veprime në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi në lidhje me autorizimet policore; përdorim i tepërt i forcës; përdorim i forcës që nuk është e domosdoshme për ta arritur objektivin legjitim dhe të ligjshëm të Policisë.
Gazeta Sinjali në janar të këtij viti pati publikuar pamje skandaloze të keqtrajtimit të një 18 vjeçari në vitin 2018 nga Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.