Para një jave, njësia e Antidrogës ka zhvilluar bastisje në një shtëpi në rrugën “Betim Berisha” në Prizren, ku ka gjetur substanca narkotike të dyshuar marihuanë, por jo edhe të dyshuarin. I njëjti ka qëndruar në arrati deri ditën e djeshme, kur edhe u kap nga Policia e Kosovës dhe u dërgua në mbajtje, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u kap për posedim të substancave narkotike është Egzon Krasniqi.
Në shtëpinë dhe objektet që janë pronë e të dyshuarit, Antidroga zbarkoi më 7 prill, në orët e mëngjesit, ku gjeti dhe sekuestroi 1.54 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, një gjysmë cigare e dyshuar si substancë narkotike të llojit marihuanë, një peshore elektrike, një grinder, një pako rizlla, tre rrole najloni për paketim të substancës narkotike, një telefon dhe 10 euro.
Atë ditë, i dyshuari nuk u gjet në shtëpi dhe Policia filloi kërkimet, deri më dje, kur u ndalua nga një njësit policor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.