Gazeta Sinjali ka zbuluar identitetin e policit të tretë që u përfshi në një rrahje mëngjesin e sotëm në Prishtinë. Bëhet fjalë për Bashkim Ahmetin, i cili dyshohet se gjatë përleshjes me dy kolegët e tij të Njësisë Speciale, Fehmi Shahinin dhe Lumbardh Pestishën, nxorri edhe armën e zjarrit. Sipas të njëjtit burim, Ahmeti, ka tërhequr zvarrë rreth 30 metra, njërin prej dy policëve.
Burime të Gazetës Sinjali brenda organeve të hetuesisë thonë se Ahmeti ishte me rroba civile në veturën e tij të tipit “Golf IV”. Mirëpo gjatë lëvizjes me veturë, palët kanë hasur në mosmarrëveshje.
Më pas, situata është tensionuar dhe në përpjekje për t’ia larguar armën, Ahmetit ia kanë thyer xhamin e veturës.
Më pas, situata ka eskaluar, dyshohet se Ahmeti e ka tërhequr zvarrë njërin prej policëve të Njësisë Speciale.
Të gjitha këto informacione mbetet të konfirmohen gjatë procesit të hetimeve.
Rasti fillimisht është raportuar në Stacionin e Veriut në Prishtinë, më pas ka kaluar te Inspektorati Policor i Kosovës. Tre policët janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe shumë shpejt pritet të bëhet e ditur se çfarë masash janë marrë ndaj tyre, ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.