Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka gjetur Yllka Derrin, e cila ishte raportuar si e zhdukur që nga qershori i këtij viti. Gazeta Sinjali kishte biseduar me nënën e saj Teuta Derrin javën e kaluar e cila fajtor për zhdukjen e vajzën së saj e bënte të miturin Besart Radostën dhe babin e 17-vjeçarit, Blerimin.
Por pretendimet e nënës së 15-vjeçares kanë rezultuar sot të sakta. Ajo për Gazetën Sinjali kishte insistuar se vajzën e saj po e mbajnë familja Radosta, ndërsa të njëjtat pretendime janë vërtetuar sot.
Sipas njoftimit të sotëm të Policisë së Kosovës Yllka Derri është gjetur në shtëpinë e Besart Radsotës, i cili po ashtu është i mitur.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë sot në ora 06:30 ka realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë e personit të dyshuar Besart (Blerim) Radosta, i dyshuar për vepër penale ‘Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare’”.
“Gjatë operacionit policor është arrestuar personi i dyshuar e po ashtu është gjetur edhe personi i mitur Yllka (Naim) Derri e cila ishte raportuar si person i zhdukur nga familjarët e saj që nga data 15 qershor e këtij viti”, thuhet në njoftim ne Policisë së Kosovës.
Pas raportimit të Gazetës Sinjali, Policia e Kosovës kishte kërkuar ndihmë për ta gjetur të miturën.
“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografive të personave të involvuar në rast, me qëllim lokalizimin e tyre, lëshon Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi viktimë është: Yllka (Naim) Derri e lindur me 04.10.2003 nga Gjakova. Personi i dyshuar është: Besart (Blerim) Radosta i lindur me 21.08.2002 nga Gjakova”.
“Me datën 15.06.2019 në orën 09:15 në stacionin policor në Gjakovë viktima me të dhëna si më lart është raportuar nga familjarët se ishte larguar nga shtëpia. Policia në Gjakovë ka punuar intensivisht në gjetjen e vajzës së mitur dhe gjatë hetimeve ka arrestuar edhe një person të dyshuar për mundësim të veprës penale ‘bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare’ dhe rasti është dërguar me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë me datën 30.07.2019”, thuhej në komunikatë.
Yllka Derri më 14 qershor të këtij viti ishte nisur për në shkollë, ku kishte qenë duke vijuar mësimet në klasën e nëntë. Vetëm dy orë pasi ishte nisur nga shtëpia, babai i Yllkes, Naimi, kishte marrë një thirrje telefonike, raporton Gazeta Sinjali.
Në telefon ishte lajmëruar Blerim Radosta, babai i B.R, 17-vjeçar me të cilin ishte duke qëndruar Yllka. Familjarët kanë treguar për Gazetën Sinjali se Radosta i kishte thënë Naimit se vajza është me djalin e tij.
Marrëdhëniet mes dy familjeve nuk ishin aspak të mira, për shkak se prindërit e Yllkës nuk ishin pajtuar që vajza e tyre të kalojë në një fazë të tillë ‘martesore’ si 15-vjeçare. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore të Gjakovës, por vajza e tyre kishte qëndruar e zhdukur për rreth gjashtë muaj deri në ditën e sotme./Gazeta Sinjali/