image Ky është numri i tifozëve anglezë që kanë mbërritur në Prishtinë për ta parë ndeshjen futbollistike - Sinjali

Statistika/ Ky është numri i tifozëve anglezë që kanë mbërritur në Prishtinë për ta parë ndeshjen futbollistike

news image

Në rrugët e kryeqytetit të Kosovës vërehet një numër i konsiderueshëm i tifozëve anglezë, të cilët kanë ardhur në Prishtinë për ta ndjekur kombëtarën e tyre në sfidën ndaj Kosovës, që do të nisë prej orës 18:00 në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pritshmëritë rreth fluksit të mysafirëve anglezë që kanë ardhur për ta parë këtë ndeshje janë deri në dy mijë përderisa rreth një mijë vende janë rezervuar për ta në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Gazeta Sinjali merr vesh se sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, përveç linjës së rregullt, ka ateruar edhe një aeroplan charter, enkas për ndeshje, me rreth 150 tifozë anglezë. Kështu ka bërë të ditur, Valentina Gara zëdhënëse e Aeroportit Ndërkombëtar  të Prishtinës, “Adem Jashari”. Ajo thekson se gjatë javës së fundit, numri i përgjithshëm i udhëtareve që kanë arritur direkt nga Londra përmes aeroportit  të Prishtinës është afër një mijë.

 “ Më 11 nëntor nga Londra direkt në Prishtinë kanë arritur 117 udhëtarë, më 15 nëntor, 211 udhëtarë ndërsa sot më 17 nëntor përmes linjës së rregullt kanë arritur edhe 199 të tjerë. Përveç këtyre, gjatë ditës së sotme ka ateruar edhe një udhëtim charter vetëm me tifozë me rreth 150 udhëtarë.”, ka thënë për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

Ndërsa komandanti i policisë në aeroport, Shpend Maliqi ka bërë të ditur për Gazetën Sinjalin se pritshmëritë për ardhjet nga Anglia për ta parë ndeshjen janë rreth dy mijë veta vetëm përmes linjës ajrore.

Stadiumi i qytetit të Prishtinës i zë vetëm 12.667 shikues. Një skaj jugori tij, që zë rreth pesë përqind të ulëseve të përgjithshme është i rezervuar për tifozët mysafirë. Rrjedhimisht nga kjo pjesë ndeshjen mund ta ndjekin rreth 650 tifozë anglezë. FFK-ja ka ndarë edhe një pjesë të biletave për tifozët anglezë në tribunën kryesore, në perëndim të stadiumit kështu që numri i përgjithshëm i tifozërisë angleze brenda stadiumit pritet të jetë rreth një mijë veta.

Ndryshe interesimi i tifozërisë sidomos asaj vendëse është shumëfish më i madh për ta shikuar live këtë ndeshje sesa mundësitë që i ofron stadiumi i Prishtinës. Ditë më parë, Komuna e Prishtinës njoftoi se ka filluar diskutimet me Federatën e Futbollit të Kosovës për zgjerimin e kapaciteteve në stadiumin Fadil Vokrri, në tribunat lindjes, veriut dhe jugut. Gjatë javëve në vijim do të bëjmë analizat e nevojshme për të vlerësuar mundësitë që të kemi deri në 20 mijë ulëse në stadiumin e qytetit./ Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin