Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Amazon, njëkohësisht njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos në një intervistë të dhënë në vitin 1998, kishte treguar se cili libër ia ka ndryshuar jetën.
Bezos ishte shprehur se nuk mendonte se ishte e mundur të shkruhej një roman i përsosur derisa lexoi “The Remains of the Day” (“Dita e mbetur”), nga nobelisti Kazuo Ishiguro.
“Nëse lexon ‘The Remains of the Day’, që është një nga librat e mi të preferuar, fillon të mendosh se ‘shpenzova dhjetë orë duke jetuar një jetë paralele dhe mësova diçka për jetën dhe pendesën. Është diçka që s’e bën dot duke lexuar blogje’”, citohet të jetë shprehur ai.
Në biografinë e Bezos, të shkruar nga gazetari amerikan Brad Stone “The Everything Store”, thuhet se libri i autorit japonez të rritur në Angli është një nga librat që ndikoi në vendimin e Bezos për të themeluar kompaninë Amazon.
Megjithatë ish-bashkëshortja e tij, MacKenzie ishte shprehur se “Jeff e lexoi librin një vit pas themelimit”.
“Dita e mbetur” është një nga ata libra, për të cilët Bezos inkurajon punonjësit që t’i lexojnë.
Ishiguro është konsideruar nga kritika si një përzierje e Xhejn Osten, Franc Kafkës dhe Marsel Prustit./Gazeta Sinjali/