Një person i kërkuar nga Interpoli ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës, para dy ditësh në Skenderaj. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 35-vjeçar, i cili u ndalua në orët e mbrëmjes të së premtes.
Personi që u arrestua pasi po kërkohej në bazë të një urdhër arresti aktiv të lëshuar nga autoritetet e Francës, sipas të njëjtave burime është Lavdim Sejdijaj.
Pas arrestimit, 35-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas i është caktuar masa e ndalimit policor.
Burimet thonë se brenda afatit ligjor, është mbajtur seanca ndaj të dyshuarit, me ç’rast gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim që ta dërgojë në paraburgim për 40 ditë.