image Ky është kandidati i mundshëm për kryetar të Podujevës nga radhët e PDK-së

Kosovë

Zgjedhjet/ Ky është kandidati i mundshëm për kryetar të Podujevës nga radhët e PDK-së

news image

Fahri Osmani ka mohuar të jetë kandidat për kryetar të Podujevës nga Partia Demokratike e Kosovës. Osmani ka thënë se Naim Fetahu është kandidati më i mundshëm për të parin e Podujevës nga radhët e PDK-së.

Osmani në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se pozicioni i tij është i qartë dhe se do ta përkrahë cilindo kandidat të cilin e vendos PDK-ja për kryetar të Komunës.

“Emrin tim ndoshta ma kanë laku, por unë e kam të qartë pozicionin tim, unë nuk do të jem kandidat. Këdo që e vendos partia unë e përkrahi. Kushdo çoftë ai emër unë e përkrahi, përndryshe unë nuk jam. Kandidat besoj do të jetë kryetari i degës, zoti Naim Fetahu”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, Nexhmi Rudari do të jetë kandidat për kryetar të Podujevës nga radhët e LDK-së, pasi u zgjodh nga dega e kësaj partie me vota unanime.

Të hënën është dita e fundit kur partitë politike do të kenë mundësi për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. Megjithatë, një ditë para përmbylljes së këtij afati, asnjëra nga to nuk ka dorëzuar aplikimin për certifikim me kandidatët e tyre për zgjedhjet në Podujevë.

Një gjë të tillë ka bërë të ditur zyrtari për informim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai thotë se subjektet politike kanë afat deri nesër në orën 18:00 për të dorëzuar në KQZ aplikimin e tyre.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për të parin e Podujevës bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars. /Gazeta Sinjali/