image Ish-drejtori i BKT-së që dyshohet se ia mundësoi një personit tërheqjen e 95 mijë eurove nga banka

Siguri

Ish-drejtori i BKT-së që dyshohet se ia mundësoi një personit tërheqjen e 95 mijë eurove nga banka

news image

Ish-drejtori i Bankë Kombëtare Tregtare në degën në Pejton të Prishtinës, u prangos sot nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se në nëntor të vitit të kaluar ia mundësoi një personit tërheqjen e  95 mijë eurove nga llogaria e një qytetari. Të dy përfunduan në Polici dhe me vendim të prokurorit u dërguan në ndalim për 48 orë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Ilmi Alilin, 45-vjeçar, që kohë më parë ushtronte pozitën e drejtorit të BKT-së, në degën në Pejton të Prishtinës. Sipas burimeve të Sinjalit, Alili dyshohet se i ndihmoi Shkumbin Bajramit, punëtor i kompanisë së taksive “Bini” në Gjilan, t’i tërhiqte 95 mijë euro në degën e BKT-së në Ferizaj.

Në stacionin policor në Ferizaj fillimisht janë shoqëruar Alili, Bajrami dhe një person tjetër, teksa vetëm ish-drejtori i bankës dhe punëtori i kompanisë “Bini” janë ndaluar për 48 orë.

Kur dhe si ka ndodhur rasti?

Sipas burimeve të Sinjalit rasti ka ndodhur në muajin nëntor 2021, në degën e BKT-së në Ferizaj. Më 17 nëntor, Shkumbin Bajrami dyshohet se ishte prezantuar rrejshëm me një ID kartelë të falsifikuar, kinse në emrin e një qytetari dhe kështu ka arritur që ta mashtrojë stafin e bankës dhe ka tërhqur 95 mijë euro.

Pas hetimeve disamujore, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Njësia e Hetimeve Rajonale ka bastisur sot tri lokacione në Gjilan, për të mbledhur prova lidhur me këtë rast.

Gjatë kontrollimit në lokacionet caktuara, janë grumbulluar prova se Ilmi Alili dhe Shkumbin Bajrami janë të përfshirë në këtë rast. Alili dyshohet për veprën penale “keqpërdorim i besimit”, ndërsa Bajrami për “mashtrim”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/