image Ky është i dyshuari që kërcënoi me thikë trajnerin e K.F Llapi

Siguri

Ky është i dyshuari që kërcënoi me thikë trajnerin e K.F Llapi

news image

Gazeta Sinjali sot gjatë ditës raportoi për një rast të kanosjes që ka ndodhur në fshatin Dumosh të Podujevës, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me thikë trajnerin e klubit të futbollit, ku luan edhe djali i tij, për shkak se ai ishte i pakënaqur me trajnerin, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se i dyshuari për kanosjen me thikë të trajnerit është 40-vjeçari nga Podujeva, Berat Softolli, i cili aktualisht gjendet në ndalim policor prej 48-orësh.

Berat Softolli

Ndërsa, burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se viktimë e kanosjes është Mehmet Agushi, i cili është trajner i grupmoshave të reja në KF Llapi.

Mehmet Agushi – trajner në KF Llapi

Kujtojmë se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak se Softolli ishte i pakënaqur me trajnerin e K.F Llapit, për shkak se sipas tij ai nuk po e angazhonte mjaftueshëm në lojë djalin e tij.

Nga burimet e Sinjalit është bërë me dije, se rrjedhën e kësaj ngjarje e kanë konfirmuar edhe dy dëshmitarë, të cilët ishin të pranishëm kur dyshohet se ndodhi kanosja.

Mirëpo, përkundër deklarimit të denoncuesit, të përkrahur edhe nga dy dëshmitarë, këtë e ka mohuar i denoncuari, madje ai ka deklaruar se i vetmi veprim që ka ndërmarrë kundrejt trajnerit ka qenë gjuha ofenduese.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/