Gazeta Sinjali raportoi sot për një incident që ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një lokal në qendrën “Abi Çarshia” në Prizren, ku një person dyshohet se ka shtënë disa herë me armë dhe më pas duke tentuar të ikë është aksidentuar. Gjuajtja me armë i kushtoi atij me arrestim dhe ndalim, ndërkohë që Policia ia ka konfiskuar armën me rreth 70 fishekë që u gjetën në veturën e tij.
Por në cilin lokal ndodhi ngjarja dhe kush është i dyshuari? Sinjali sjellë detajet
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se personi që dyshohet se shkaktoi rrezik të përgjithshëm është Dardan Berisha, (33-vjeçar) i cili përveç që ka shtënë katër herë, armën të cilën e ka përdorur e ka mbajtur në kundërshtim me ligjin.
Ai po dyshohet se pas mesnate ka gjuajtur në lokalin “Ponte Lounge” në rrugën “Ekrem Rexha”, ku Policia ndërhyu, pasi mori informacionin për të shtënat me armë. Për motive ende të panjohura, Berisha ka gjuajtur dhe më pas ka tentuar t’iu ikë prangave të Policisë, por fatkeqësisht pa sukses.
Hetuesit arritën ta identifikojnë të njëjtin, me ç’rast gjatë kontrollit policor në veturën e tij u gjet arma e përdorur dhe një armë gjysmë automatike si dhe dhjetëra fishekët, që u sekuestruan bashkë me gëzhojat që janë gjetur në lokacionin ku ai ka shkrepur armën.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku pasi i është nënshtruar alkotestit, ka rezultuar se është në gjendje të dehur. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër për ndalim prej 6 orësh dhe inicim të rasteve për dy vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.