Policia e Kosovës ka njoftuar se dje rreth orës 12:17 ka arrestuar personin e dyshuar për plagosjen e dyfishtë në rrugën “Eliot Engel” më 10 tetor në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se personi i arrestuar për këtë rast është Fisnik Lajqi.
Me këtë rast, policia ka bastisur shtëpinë e tij, në të cilën bëhet e ditur se ka gjetur dhe ka konfiskuar një pistoletë dhe dy karikatorë me 10 copë fishekë.
Ndërkaq, i arrestuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Rr. Eliot Engel, Pejë 10.10.2020 – 12:17. Lidhur me rastin, më 27.10.2020 gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit mashkull/kosovar, kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe dy karikatorë me 10 copë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
Kujtojmë se nga kjo vrasje në tentativë mbetën të plagosur dy persona, njëri prej të cilëve ishte kalimtar rasti.
Të plagosurit ishin dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Pejës me një veturë civile, ndërsa të dyshuarit kishin ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Mjeku në Spitalin e Pejës kishte thënë se dy viktimat kishin marrë plagë nga arma e zjarrit por të njëjtit ishin jashtë rrezikut për jetën.
Policia është duke e hetuar ende këtë rast dhe varësisht prej hetimeve mund të këtë sërish të arrestuar./ Gazeta Sinjali/