Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese, e jo vetëm. Hajna herë të vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, madje edhe të rënda, raporton Gazeta Sinjali.
Së fundmi në prangat e Policisë ka rënë edhe një i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre, i cili sipas burimeve nga Prokuroria është 31-vjeçari, Ferdi Veseli.
I njëjti dyshohet se ka realizuar vjedhje në tri lokacione të ndryshme, duke vjedhur mjete pune dhe një motor të veturës ( vlera e përgjithshme mbi 3000 euro).
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.